U tërhoqën edhe uji edhe kamerat, mbetën balta dhe hidhërimi në shpirtrat


Објавено на 18/11/2016 во Настани и новости
U tërhoqën edhe uji edhe kamerat, mbetën balta dhe hidhërimi në shpirtrat

Prurje të mëdha të baltës, gurë të grumbulluar, grumbuj mbeturinash, shtëpi me gjurmë të qarta të ujit nëpër fasada, erë e rëndë e lagështisë dhe ara me gropa të mëdha me ujë, është gjendja në më shumë fshatra të Shkupit, tre muaj pas vërshimit katastrofal të 5 gushtit, në të cilën e humbën jetën 22 qytetarë, kurse një vajzë 16 muajshe edhe më tej evidentohet si e zhdukur.

Për ndihmën e familjeve, shtëpitë e të cilëve u vërshuan, me rebalans të Buxhetit u dedikuan 36 milionë euro, por deri tani janë paguar vetëm 8 milionë euro! Por, edhe në pagesat „fshihen“ shumë sekrete, për të cilat me gjysëm zëri flasin banorët e rajoneve të vërshuara. Por, ata janë të kënaqur që kanë shpëtuar, dhe thonë se për të holla disi do ti a dalin. Për fat të keq, asnjëherë nuk do mund të kompenzohen viktimat të cilët i morri uji pa mëshirë.

Për ndihmën e familjeve, shtëpitë e të cilëve u vërshuan, me rebalans të Buxhetit u dedikuan 36 milionë euro, por deri tani janë paguar vetëm 8 milionë euro!

Banorët e rajonave të vërshuara me gjysëm zë flasin për raste të ndryshme të pagesave. Ata thonë se në Stajkovc janë vërshuar rreth 300 shtëpi, por për dëmshpërblim, në listë gjenden 400. Sipas tyre, pronarët e këtyre shtëpive „në mënyrë të çuditshme“ i kanë paraqitur dëmet. Gjithashtu, banorët e Stajkovcit flasin se edhe gjatë shpërndarjes së të hollave kanë ekzistuar lidhje partiake. Pastaj flitet edhe për një donacion nga Australia, i cili ka shkuar tërësisht për një shtëpi, kurse bëhej fjalë për shumë të holla.

Gjithashtu, qarkullon biseda se për një shtëpi e cila nuk ishte aq e dëmtuar, por, në vend të saj, me të holla buxhetore po ndërtohet shtëpi e re.

Ata, shtëpitë e të cilëve nuk ishin të përmbytura, të parët vrapuan për donacione dhe kanë marrë nga disa herë. Ata, të cilët kishin shtëpitë e përmbytura ishin të zënë me punë

Në ndërkohë, banorët e rajoneve të vërshuara po i a dalin kush si di, që sa më shumë ti kthehen jetës normale. Por, takuam edhe shtëpi të lëshuara, të cilët janë aq të rrënuara, ose, të lagura që familjet nuk mund të kthehen në to.

Dragi Stojkovski nga Lagjeja Çento ka marrë dëmshpërblim prej 900 euro nga shteti, por siç thotë, me to nuk mund të mbulohet asgjë nga dëmi i shkaktuar.

-As shteti më ka dhënë diçka, as që pres të më japë. Gjithçka që kam bërë, e kam bërë me këto 10 gishtërinjë. Do ta bëj prapë – thotë Stojkovski.

Ai shpjegon, se kur ka ardhur uji, në hapësirat e bodrumeve dhe përdheses, uji arriti deri në dy metra dhe atje tekstualisht gjithçka ka notuar dhe gjithçka është dëmtuar.

Në përdhese ka një hapësirë, ku djali i tij mirret me klimatizues.

– Me vërshimet shkuan edhe tre klimatizues, të cilët djali im duhej ti montonte. Vetë kjo është një dëm më i madh se 900 euro. Në atë pjesë gjendeshin edhe dy lavatriçe. Kisha edhe material për rinovim, stiropor. Gjithçka shkoi…

Shteti dështoi para dhe pas shiut

Stojkovski ka punëtori edhe në Stajkovc, menjëherë afër qarkores. Atje është dëmtuar pullazi, kurse ky vetë e ka zëvendësuar, respektivisht as që e ka paraqitur se ka dëme të shkaktuara.

Shoku i tij nga Stajkovci nuk dëshironte të flet me emër dhe mbiemër, tha se me rëndësi është që ka arritur ta shpëtojë bashkëshorten.

– Dy shtëpi mi kapluan vërshimet, njëra ku banojmë unë dhe bashkëshortja, ndërsa tjetra, ku banon djali me familjen. Ja, tash po sjelli rërë për të mbushur vrimën para shtëpisë sime. Nuk mundem normalisht të hyjë dhe të dal, por kisha shumë punë brenda dhe nuk arrita të punojë para hyrjes. Shteti, deri më tash nuk më ka dhënë asnjë denar. Por, kur mendoj se çka ka mundur të më ndodhë… Me bashkëshorten ishim jashtë dhe përnjëherë dëgjuam zhurmë të tmerrshme. Kur u kthyem, uji veç na kishte marrë. Unë u kapa për gardhin dhe fortë e shtrëngova bashkëshorten për dore. Por ajo, prapëseprap lëshoi. Nuk e di as vetë se si e kam shpëtuar – thotë bashkëbiseduesi ynë.

Rruga kryesore në Stajkovc është tërësisht e gërryer dhe po përgatitet për asfaltim. Rrugët dytësore, nga ana tjetër, janë me baltë dhe në to u shuhën shumë jetëra.

Goran Petrinski jeton rreth njëqind metra nga vendi ku humbën jetën nëna me fëmiun, të cilët uji i zvarriti nga qarkorja, kurse u gjetën ndërmjet dy shtëpive. Në afërsi u gjet edhe një grua e vdekur, e cila mbahej për gardhin.

Shtëpia e Petrinskit edhe më tej ka gjurmë të lagështisë. Dera e hyrjes është zëvendësuar, kurse nga shtëpia dëgjohet zhurma e fëmijëve.

– Për fat të mirë, të gjithë jemi gjallë dhe shëndoshë. Sa për fillim, nga shteti i morra 30.000 denarë avans. Erdhën dhe kryen vlerësimin. Sa arrita të shikoj, e regjistruan realisht. Pres që të gjithë shkallë për shkallë të dëmshpërblehemi – në mënyrë optimiste thotë Petrinski.

Gorani gjatë kohës së vërshimeve ka qenë tek varrezat. Edhe atje uji erdhi fuqishëm dhe nuk ka mundur me orë të kthehej në shtëpi. Fëmijët i kishte mysafirë, dhe për fat të mirë, në atë pjesë të fshatit nuk ka pasur vërshime. Por bashkëshortja Brankica ishte vetëm në shtëpi.

– U përpoqa ta hap derën, por shkonte vështirë. Uji aq shumë kishte ardhur dhe bënte presion, ashtu që me shumë vështirësi e hapa derën dhe dola. Bashkëshorti më tha se ju ka lajmëruar fqiu, i cili ishte për pushime në Greqi, dhe i ka treguar se nëna e tij ishte e vetme në shtëpi. Ajo grua është shumë e sëmurë. Kishte 12 operacione. U koncentrova që ta shpëtoj. Ecja ngadalë, ujë kishte gjithandej. Disi u mbajta ndërmjet shtëpive dhe arrita deri te shtëpia e saj. Ajo qëndronte në terracën e ultë dhe thërriste për ndihmë. Nuk e di as vetë se si i ndihmova që të kalojë mbi terracë dhe si arrita ta zvarrisë deri para derës sime, kur ajo mezi ecte. Gruaja kishte bërtitur në terracë më shumë se një orë – thotë Brankica.

Gorani na dërgoi te shtëpia e gruas së shpëtuar. Ishte tmerr për të hyrë. Atje ku lidheshin muret e jashtme me dyshemenë, kishte vrima. Uji kishte hyrë në shtëpi nga të gjitha anët. Nga fasada, nga dritaret… Në këtë shtëpi, nuk mund të jetohet më. Ajo as nuk mundet të rinovohet. Është e pasigurtë. Do duhej të rrënohet dhe të ndërtohet e re. Gruaja e shpëtuar për momentin gjendet në strehimore për pleq.

Humanitet në vepër, gjatë kohës së vërshimeve treguan shumë qytetarë, por edhe ndërmarrje. Ata e tejkaluan kujdesin shtetëror dhe ishin të parët që qytetarëve të rajoneve të vërshuara ua shtrinë dorën. Jepej ujë, ushqim të paketuar, shujta të nxehta dhe veshëmbathje. Për fat të keq, siç thotë njëri ndër koordinatorët e shpërndarjes së ndihmave, donacionet asnjëherë nuk shkonin në vendet e duhura.

– Ata, shtëpitë e të cilëve nuk u vërshuan, të parët vraponin pas donacioneve dhe merrnin nga disa herë. Ata, nga ana tjetër, që kishin shtëpitë e vërshuara, ishin të zënë me punë dhe derisa u nisnin për pak ushqim, ndodhte që ushqimi të harxhohet. Për këtë arsye, donacionet u ndanin shtëpi për shtëpi – thotë bashkëbiseduesi ynë.

Banorët e rajoneve të vërshuara thonë se tash frikësohen edhe kur bie shiu më i vogël. Atë që kanë përjetuar, thonë nuk mund të përshkruhet. Sa i përket dëmit material, shumica komentojnë se është mirë që gjendemi para periudhës parazgjedhore, ashtu që Qeveria me shumë gjasa do të kujtohet për to, që të munden aq sa mundet tia dalin.





Comments are closed.